Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Vazhdon cikli i diskutimeve me mësimdhënës për Strategjinë e Arsimit 2035+, takimi rajonal në Pejë

05.10.2025

Në Pejë është zhvilluar takimi rajonal me mësimdhënësit e Rajonit të Pejës për diskutimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, në një organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Ky ishte takimi i dytë rajonal në kuadër të ciklit të diskutimeve me mësimdhënës në të gjitha rajonet e Kosovës, pas takimit të parë të zhvilluar në Gjilan.

Në bashkëbisedimin me mësimdhënësit morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues të Ministrisë, udhëheqës të SBAShK-ut, drejtues të institucioneve arsimore, si dhe mësimdhënës e punëtorë të arsimit nga Rajoni i Pejës.

Në fokus të takimit ishte dëgjimi i drejtpërdrejtë i zërit të mësimdhënësve dhe marrja e propozimeve konkrete nga terreni për përmbajtjen dhe prioritetet e Strategjisë së Arsimit 2035+.

Gjatë diskutimit u trajtuan çështje të rëndësishme për të ardhmen e sistemit arsimor, përfshirë cilësinë në arsim, kushtet e punës dhe të mësimdhënies, zhvillimin profesional dhe mbështetjen e mësimdhënësve, mirëqenien e punëtorëve të arsimit, autonominë dhe zhvillimin e shkollës, kurrikulën dhe procesin mësimor, digjitalizimin, financimin e arsimit, si dhe sfida të tjera me të cilat përballen institucionet arsimore.

Mësimdhënësit e Rajonit të Pejës patën mundësi që drejtpërdrejt të paraqesin sugjerimet, shqetësimet dhe propozimet e tyre konkrete për atë se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të parashikojë Strategjia e Arsimit 2035+.

Ministri Hajrulla Çeku theksoi rëndësinë e përfshirjes së mësimdhënësve në këtë proces, duke vënë në pah se Strategjia e Arsimit 2035+ duhet të ndërtohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në bazë të përvojave dhe nevojave reale të sistemit arsimor.

Ndërsa kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi rëndësinë e rolit të punëtorëve të arsimit në përcaktimin e prioriteteve për të ardhmen e arsimit, si dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet SBAShK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Takimi në Pejë u karakterizua nga një diskutim i hapur, i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv, ku mësimdhënësit patën mundësinë të adresojnë çështjet që i preokupojnë në punën e përditshme dhe të ofrojnë ide konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor.

SBAShK dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojnë këtë cikël të takimeve rajonale me synimin që zëri i mësimdhënësve të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+ dhe që kjo strategji të jetë sa më reale, gjithëpërfshirëse dhe e zbatueshme.

Takimet rajonale do të vazhdojnë edhe në rajonet e tjera të Kosovës.

Bashkohu

Dëshironi të bëheni pjesë e SBASHK-ut?

Na shkruani për anëtarësim, pyetje ose sugjerime. Së bashku jemi më të fortë – presim mesazhin tuaj!