Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

SBASHK

– Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) është organizatë demokratike, e pavarur nga shteti dhe partitë politike, jofitimprurëse dhe me anëtarësim vullnetar, që përfaqëson interesat e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit, shkencës dhe kulturës. Përkrah dhe mbron interesat e tyre ekonomike, statusin social, të drejtat e punëtorëve dhe të anëtarëve të SBASHK-ut, si dhe shpreh qëndrimet e veta lidhur me çështjet karakteristike sociale në vendin tonë dhe në botë.

– Shoqatat e të papunëve, pensionistëve, invalidëve dhe grupet e ngjashme në arsim dhe në institucionet e tjera të arsimit mund të bashkohen me anëtarësinë e SBASHK-ut.

– SBASHK-u operon brenda sistemit të Republikës së Kosovës, në frymën e Kushtetutës, konventave ndërkombëtare, ligjeve, marrëveshjeve kolektive, rregulloreve dhe akteve të tjera normative të njohura, si dhe Programit dhe Statutit të SBASHK-ut.

– SBASHK-u përfaqëson interesat e anëtarëve të saj në fushat sociale, ekonomike, shoqërore, shkencore, kulturore dhe në fusha të tjera.

 

– SBASHK-u bashkëpunon mbi parimet e barazisë, reciprocitetit dhe solidaritetit me sindikatat e tjera në vend dhe jashtë vendit, si dhe me organizatat ndërkombëtare të sindikatave simotra, në përputhje me angazhimet e tyre programore.

 

– SBASHK-u përbëhet nga anëtarësia e të punësuarve në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës në Republikën e Kosovës, të regjistruar vullnetarisht në institucionet publike, private dhe të tjera: në institucionet parashkollore, arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, arsimin universitar, shtëpitë e studentëve, si dhe në subjekte të tjera që lidhen me arsimin.

 

– SBASHK-u, në përputhje me interesat e anëtarësisë, bashkohet vullnetarisht dhe përkrah aktivitete të tjera sindikale që organizohen nga federatat dhe konfederatat sindikale të Republikës së Kosovës, me qëllim të përfaqësimit dhe mbrojtjes më efikase të interesave të përbashkëta dhe të përgjithshme të të gjithë të punësuarve.

 

– SBASHK-u bashkëpunon drejtpërdrejt me sindikatat në aktivitetet sindikale në Republikën e Kosovës, në mënyrë që me sukses t’i adresojë çështjet me interes të përbashkët.

– SBASHK-u, së bashku me sindikatat e tjera, mund të hyjë në aleanca, të lobojë dhe të bashkëpunojë me sindikatat përkatëse dhe sindikatat ndërkombëtare, në mënyrë që të kontribuojë në zhvillimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

– SBASHK-u bashkëpunon me Sindikatat Ndërkombëtare të Arsimit dhe me sindikatat e tjera, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes Internacionales së Arsimit (EI), anëtare e së cilës është.

Bashkohu

Dëshironi të bëheni pjesë e SBASHK-ut?

Na shkruani për anëtarësim, pyetje ose sugjerime. Së bashku jemi më të fortë – presim mesazhin tuaj!