Sofje, 24 shtator 2026 – Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) po merr pjesë me një delegacion prej katër përfaqësuesish në takimin strategjik “Go Public South East Europe Strategy Meeting”, që po zhvillohet më 24 dhe 25 shtator në Sofje të Bullgarisë, nën organizimin e Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsimin (ETUCE).
Delegacionin e SBASHK-ut e kryesojnë Ymer Ymeri, Sekretar i Përgjithshëm i SBASHK-ut, dhe Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut dhe anëtare e Komitetit të ETUCE-së. Në delegacion janë edhe Blendor Shatri, kryetar i Komisionit Statutar të SBASHK-ut, dhe Njomza Sejdiu, kryetare e një shoqate sindikale të SBASHK-ut dhe anëtare e Këshillit Drejtues të BSPK-së.
Në këtë takim po merr pjesë edhe Angelo Gavrielatos, përfaqësues i Sindikatës Botërore të Arsimit (Education International – EI) dhe menaxher i fushatës “Go Public! Fund Education”, i cili gjatë punëtorisë prezanton dhe udhëheq sesionet që lidhen me këtë fushatë dhe me strategjitë e veprimit të sindikatave.
Në ngjarje është i pranishëm edhe Jelmer Evers, Drejtor i ETUCE-së, i cili udhëheq sesionin mbi perspektivën evropiane, drejtimet e politikave të BE-së dhe Këshillit të Evropës, mundësitë dhe rolin e ETUCE-së.
Takimi ka në fokus sfidat aktuale me të cilat përballen sistemet arsimore dhe punëtorët e arsimit në vendet e Evropës Juglindore. Në ditën e parë të punës po diskutohen çështje si mungesa e mësimdhënësve, kushtet e punës, ngarkesa në punë, pasiguria në punësim, financimi i arsimit dhe çështjet profesionale.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe fushatës “Go Public! Fund Education”, si dhe rekomandimeve të UN HLP dhe mënyrës se si ato mund të përfshihen në punën e sindikatave në nivel nacional.
Gjatë ditës së dytë, pjesëmarrësit do të fokusohen në strategjitë dhe planifikimin e fushatave, përcaktimin e prioriteteve strategjike kombëtare dhe hartimin e planeve konkrete të veprimit, ndërsa në përmbyllje do të prezantohen dhe diskutohen planet kombëtare dhe hapat e mëtejmë.
Pjesëmarrja e SBASHK-ut në këtë takim ndërkombëtar është një mundësi për të prezantuar përvojat dhe sfidat e arsimit në Kosovë, për të shkëmbyer përvoja me sindikatat e arsimit nga vendet e rajonit dhe për të kontribuar në diskutimet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe cilësisë së arsimit.