Gjilan, 2 tetor 2026 – Në Gjilan është zhvilluar sot takimi i parë rajonal në kuadër të procesit të bashkëbisedimit me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, i organizuar në bashkëpunim ndërmjet Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës e Kulturës të Kosovës – SBASHK dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në takim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri Përparim Kryeziu, përfaqësues të MASH-it, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, anëtarë të Kryesisë Qendrore të SBASHK-ut, si dhe mësimdhënës e përfaqësues të arsimit nga Gjilani, Vitia, Kamenica dhe komunat e tjera të rajonit.
Ky takim shënoi fillimin e një serie takimesh rajonale, përmes të cilave synohet që zëri i mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.

Në qendër të bashkëbisedimit ishin çështje të rëndësishme për të ardhmen e arsimit në Kosovë: mësimdhënësi i së ardhmes, zhvillimi profesional, ndryshimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale, cilësia e arsimit, kushtet e punës, financimi i arsimit, ruajtja dhe zhvillimi i kuadrit arsimor, si dhe sfidat që sjellin ndryshimet demografike.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe nevojës që Strategjia e re të jetë e zbatueshme dhe të shoqërohet me politika konkrete, burime të nevojshme dhe mekanizma të qartë të monitorimit të zbatimit të saj.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, përgëzoi ministrin Çeku dhe përfaqësuesit e MASH-it për gatishmërinë që këtë proces ta zhvillojnë përmes bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me mësimdhënësit, duke theksuar se përvoja dhe zëri i tyre duhet të dëgjohen gjatë hartimit të dokumentit që do të përcaktojë drejtimet e zhvillimit të arsimit për vitet e ardhshme.
Nga ana e tij, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, theksoi rëndësinë e Strategjisë 2035+ dhe nevojën për ndryshime të thella në sistemin arsimor, duke vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së mësimdhënësve në këtë proces.
Veçantia e këtij takimi ishte se fjalën kryesore e patën vetë mësimdhënësit. Ata parashtruan pyetje, shqetësime, ide dhe propozime konkrete për mënyrën se si duhet të zhvillohet arsimi dhe si duhet të përgatitet sistemi arsimor për sfidat e së ardhmes.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, konstruktive dhe bashkëpunuese, ku përfaqësuesit e SBASHK-ut, MASH-it dhe mësimdhënësit diskutuan në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjet që prekin arsimin dhe punën e përditshme në institucionet arsimore.

Ky format i bashkëbisedimit paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut social dhe profesional në arsim, duke krijuar mundësi që përvojat dhe propozimet e mësimdhënësve të reflektohen në politikat e ardhshme arsimore.
Takimi në Gjilan është i pari nga takimet rajonale që SBASHK-u dhe MASH-i do të zhvillojnë me mësimdhënësit në pjesë të ndryshme të Kosovës, me synimin që hartimi i Strategjisë së Arsimit 2035+ të jetë një proces sa më gjithëpërfshirës dhe i ndërtuar mbi bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me ata që e zbatojnë arsimin çdo ditë.
SBASHK-u mbetet i përkushtuar që zëri i mësimdhënësve të jetë pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe që diskutimi për të ardhmen e arsimit të Kosovës të zhvillohet përmes dialogut, bashkëpunimit dhe propozimeve konkrete.