Ymer Ymeri ka lindur në Bistricë të Shalës. Arsimin fillor (tetëvjeçar) e ka përfunduar në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Mitrovicë. Në vitin 1985 ka diplomuar në Universitetin e Kosovës në Prishtinë (SHLP), ku ka fituar titullin Arsimtar i Matematikës. Pas përvojës së parë profesionale në fushën e arsimit, Ymeri ka vazhduar studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), drejtimi Matematikë, në Universitetin e Tetovës, ku ka marrë titullin Profesor i diplomuar i Matematikës. Zhvillimi i tij profesional është pasuruar më tej me përfundimin e suksesshëm të studimeve Master në Menaxhment – Specializim Menaxhmenti, në Kolegjin “Universum” në Prishtinë.
Përvoja e punës dhe aktivitetet
Përvoja profesionale e Ymer Ymerit përfshin një historik të gjatë ndër vite. Në periudhën 1985–1993 ka punuar si arsimtar i matematikës në Shkollën Fillore “Bajram Curri”, fillimisht në Komunën e Prishtinës dhe më pas në Komunën e Fushë Kosovës. Gjatë viteve 1990–1993 ka qenë Sekretar i Sindikatës Komunale të Fushë Kosovës, si dhe delegat në Kongresin e Parë të BSPK-së, të mbajtur në qershor 1990 në Gjakovë.
Nga prilli 1993 deri në nëntor 2000 ka punuar si arsimtar i matematikës në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka ushtruar edhe detyrën e Kryetarit të Këshillit të Solidaritetit të SBASHK-ut. Nga nëntori i vitit 1999 është i punësuar në SBASHK në pozitën Sekretar për Financa dhe Administratë, detyrë që e ka ushtruar me profesionalizëm dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Në planin ndërkombëtar, në vitin 2015 është zgjedhur delegat me mandat katërvjeçar në Kongresin e 7-të të Education International (EI), të mbajtur më 21–26 korrik në Ottawa, Kanada. Më pas është rizgjedhur delegat në Kongresin e 8-të të EI-së (21–26 korrik 2019, Bangkok, Tajlandë), si dhe ka qenë delegat në Kongresin e 9-të të EI-së (korrik 2023, online) dhe Kongresin e 10-të të EI-së (29 korrik – 2 gusht 2024, Buenos Aires, Argjentinë).
Në nivel evropian, ka qenë delegat në Konferencën Zgjedhore të ETUCE-së (Beograd, dhjetor 2025), si dhe në konferencat e ETUCE-së në Athinë (nëntor 2018), Liège – Belgjikë (korrik 2022) dhe në të gjitha konferencat pasuese, përfshirë Konferencën Zgjedhore të nëntorit 2024 në Budva, Mali i Zi. Që nga viti 2024 është anëtar i Komitetit për Barazi në kuadër të ETUCE-së.
Në nivel kombëtar, ka qenë delegat në Kongreset e 5-të, 6-të, 7-të dhe 8-të të BSPK-së (2006, 2011, 2017 dhe 2021), si dhe anëtar i Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së në periudhën 2017–2021 dhe në mandatin e tij të dytë aktual. Në qershor 2016 është emëruar Anëtar i Këshillit Shtetëror për Arsimin Parauniversitar në MASHT. Gjatë periudhës shkurt 2017 – dhjetor 2019 ka qenë përfaqësues i BSPK-së në Këshillin Ekonomik Social (KES), ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2024 ka ushtruar mandatin e dytë në këtë këshill.
Nga viti 2018 është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës si Anëtar i Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), me mandat katërvjeçar, si përfaqësues i punëtorëve. Në kuadër të SBASHK-ut, ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Komisionit Statutar për tri mandate radhazi (2014–2024), duke dhënë dorëheqje pas zgjedhjes së tij si Sekretar i Përgjithshëm i SBASHK-ut nga Këshilli Drejtues, vendim i miratuar edhe nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i SBASHK-ut në korrik 2025. Në dhjetor 2025 është zgjedhur Anëtar i Këshillit Ekonomik Social Evropian, si përfaqësues i punëtorëve nga Kosova.