21.11.2024
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, Sekretari i Përgjithshëm, Ymer Ymeri dhe Zyrtari Ligjor, Blendor Shatri, sot vizituan Këshillin grevist të Shoqatës sindikale të Teatrit Kombëtar, ku për së afërmi u njoftuan me kërkesat e grevistëve, iu shprehën shqetësim për mostakime me Ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, për realizimin e kërkesave të tyre. Aq më tepër kur kihet parasysh se Teatri Kombëtar është teatër në nivel shteti, kërkesat e tyre janë kërkesa minimale në buxhet, që kostoja mujore është rreth 4 mijë e 600 euro e ka të bëjë me 22 artistë.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut i shprehën mbështetjen Këshillit grevist dhe u zotuan se gjatë ditës do t’i drejtohen me kërkesë ministrit të kulturës, Hajrulllah Çekut, që të ulet me Këshillin grevist dhe të gjejë formën dhe mundësinë për realizimin e kërkesave të tyre në mënyrë që artistët t’i kthehen obligimeve ditore që kanë në punë si artistë.