Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke iu përgjigjur ftesës, u takua me zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi, me të cilin diskutoi për fillimin e vitit të ri shkollor, pakënaqësitë dhe kërkesat e mësimdhënësve karshi Qeverisë.
Kryetari i SBASHK-ut, z. Rrahman Jasharaj, kërkoi nga Kelmendi që takime të tilla mes MASHTI-t dhe Sindikatës të ketë më shpesh ngase sipas tij në këtë mënyrë mund të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve dhe zgjidhen problemet aktuale në arsim.
Kryetari Jasharaj kërkoi që furnizimi me tekste shkollore këtë vit të bëhet nga MASHTI duke i dërguar tekstet shkollore në shkolla si dhe të ketë libra të rinj për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët, pra nga klasa 1 deri 9.
Kryetari i SBASHK-ut, z. Rahman Jasharaj kërkoi nga zv. Ministri Kelmendi që Qeveria të bëjë rritjen e koeficientit për mësimdhënës dhe të plotësohen edhe kërkesat tjera të anëtarësisë, të cilat në formë të shkruar ia dorëzoi zv/ministrit Kelmendi. Jasharaj u shpreh se kur ka dialog dhe angazhim për realizimin e kërkesave të anëtarësisë atëherë nuk ka kërkesa për veprime sindikale.
Nga ana e tij, zëvendësministri Taulant Kelmendi premtoi se do t’i shqyrtojë me kujdes kërkesat e SBASHK-ut e pastaj informoi kryetarin Jasharaj për angazhimet dhe përgatitjet që po bën MASHTI lidhur me vitin e ri shkollor.
Në këtë takim bashkë me kryetarin Jasharaj kanë qenë edhe zyrtari ligjor Blendor Shatri dhe zyrtarja për trajnime dhe informim Drita Vitia Zeneli.