Bashkëbisedë përmbajtjesore me kryetarët e shoqatave sindikale
Në sallën e takimeve të Asamblesë komunale në Ferizaj është mbajtur Kuvendi i Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për këtë komunë. Në hapje të këtij takimi kryetari i këtij Kuvendi Fejzullah Vranovci ka përshëndetur të pranishmit dhe në emër të tyre ka falënderuar për pjesëmarrje kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, nënkryetaren Vjollca Shala, koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe kryetaren e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit të Mesëm të Lartë në kuadër të SBASHK-ut, Hanife Salihu. Kryetari Jasharaj në fjalën përshëndetëse ka përgëzuar anëtarët e këtij kuvendi , veprimtarët sindikalë dhe gjithë anëtarësinë në Ferizaj për angazhimet dhe unitetin e përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave konkrete sindikale dhe në forcimin e vazhdueshëm të unitetit dhe zërit sindikal.
Kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar në Ferizaj, Fejzullah Vranovci pastaj ka bërë një përshkrim të angazhimeve në nivel të komunës duke shprehur respekt meritor për angazhimet e vazhdueshme të stafit qendror të SBASHK-ut në realizim të kërkesave të anëtarësisë nga kjo komunë duke veçuar edhe trajnimet e organizuara në shërbim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë dhe aktivitetet e shumta sindikale.
Pas kësaj takimi është zhvilluar përmes një bashkëbisede me pjesëmarrësit të cilët kanë treguar për situatën aktuale në institucionet e tyre arsimore dhe kanë drejtuar edhe pyetje konkrete në të cilat janë përgjigjur nënkryetarja Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri .
Kryetari Fejzuallhu, anëtarët e kryesisë dhe gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi kanë shprehur respekt për angazhimet e stafit qendor të SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë duke u shprehur se do të vazhdojnë me angazhimet për realizimin e detyrave konkrete në shërim të anëtarësisë .