Debat përmbajtjesor për gjithë çështjet aktuale në arsim
SBASHK ka mbajtur takimin e radhës me kryetarët Kuvendeve të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar dhe të universiteteve për të debatuar për çështje aktuale në arsim e për të caktuar detyra konkrete për angazhimet e radhës.
Në fillim të këtij takimi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala e koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë kujtuar për aktivitetet e zhvilluara në kohën nga takimi i kaluar e deri me tani e duke u ndalur veçmas te Konferenca e organizuar bashkë me Qendrën Amerikane të Solidaritetit me seli në Tiranë, aktivitet ky i vlerësuar lart nga drejtorja ekzekutive e Qendrës Amerikane të Solidaritetit me seli në Uashington, znj. Shauna Bader -Blau, por edhe nga gjithë pjesëmarrësit tjerë.
Pas kësaj u fol edhe për angazhimet e SBASHK-ut lidhur me kundërshtimet ndaj ndryshim propozimeve të bëra në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, të cilat prekin në të drejtat e fituara e të punësuarve në sistemin arsimor. U theksua se shqetësimet SBASHK-u i ka prezantuar në takimet me përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe në takim me avokatin e popullit, nga i cili është kërkuar që çështjet t'i adresojë në Gjykatën Kushtetuese.
Në vazhdim të takimit është bashkëbiseduar edhe për iniciativën e ardhur nga disa DKA për ndërhyrje në Kontratat individuale të punës, ndërhyrje këto që do të preknin në normat e punës së një pjese të punëtorëve të arsimit.
SBASHK kundërshton iniciativat e tilla duke theksuar se kjo është çështje që ka gjetur me kohë zgjidhje të duhur dhe si të tilla edhe duhet të mbesin.
Në këtë takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve është biseduar edhe për aktivitetet solemne që do të zhvillohen për nder të ditës së mësuesit dhe shkollës shqipe.
U vendos që aktivitete solemne të zhvillohen nëpër gjithë komunat dhe në universitete, për të shprehur respekt meritor për koleget dhe kolegët që janë pensionuar nga prilli i vitit të kaluar e deri në marsin e këtij viti.