Prishtinë, 09.02.2024
I. Të largohet nga Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti çdo dispozitë e cila i referohet Ligjit të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK), të Serbisë ose të ish Jugosllavisë.
Arsyetim:
Skemat pensionale të financuara nga shteti paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës e jo nga fondi kontributëdhënës i ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK), i cili fond është grabitur dhe shndërruar në fond pensional të Serbisë ku edhe sot e kësaj dite ky fond pensional është i grabitur dhe nën menaxhim të Serbisë. Prandaj ne mendojmë së është fare e pa nevojshme që Republika e Kosovës t'i referohet Ligjeve të KSAK-së, të Serbisë ose të ish Jugosllavisë.
II. Të kthehet pika 6 e nenit 8 të ligjit bazik për skemat pensionale të financuara nga shteti, e cila është larguar me plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti më datën 16.08.2023, në të cilën pikë thuhet: " Neni 8 pika 6 Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës" Pikës t'i shtohet edhe " të punësuarve të cilët janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme"
Arsyetim:
Për shkak se me largimin e pikës 6 të nenit 8 ju është mohuar puna të punësuarve të cilët gjatë viteve 1990 deri më 1999 kanë punuar në sistemin e Republikës ë Kosovës ose janë dëbuar dhunshëm nga vendet e tyre të punës dhe janë favorizuar ata të cilët kanë punuar me sistemin e Serbisë dhe kanë paguar kontributet pensionale në fondin e pensioneve të Serbisë. Pra, aktualisht pagesë për vitet 1989-1999 ju bëhet vetëm atyre që në këto vite i kanë shërbyer Serbisë, ndërsa të punësuarve në sistemin e Republikës së Kosovës dhe të punësuarve që janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme u njihen vetëm për ta plotësuar kushtin prej 15 viteve por nuk ju paguhet fare kjo periudhë.
III. Pagesa e pensionit kontributëdhënës duhet të bëhet deri më 01.07.2002 deri atëherë kur ka filluar të funksionoj Fondi për kursimet pensionale të Kosovës TRUST, e jo deri më 01.01.1999.
Arsyetim:
Të punësuarit në sistemin e Arsimit të Republikës së Kosovës kanë punuar pa shkëputje edhe në vitin shkollor 1998/99 me nxënësit kosovar të shpërngulur në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe pas kthimit në Kosovë ky vit shkollor ka vazhduar deri më datën 31.10.1999, duke vazhduar të punojnë pa ndërprerje deri në kohën kur janë pensionuar, andaj periudha kohore nga viti 01.01.1999 deri me 01.07.2002 mbetet periudhë e pa mbuluar as me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti e as me Ligjin për fondin e kursimeve pensionale të Kosovës TRUST. Në bazë të kësaj ne mendojmë se kjo periudhë kohore duhet ti bashkohet pensionit kotributëdhënës.
IV. Të njihen diplomat e kualifikimit për të gjithë të punësuarit në sistemin e arsimit deri në momentin e pensionimit e jo vetëm deri në vitin 1989 siç njihen tani.
Arsyetim:
Mos njohja e diplomave të kualifikimit të cilat janë lëshuar gjatë periudhës së sistemit të Republikës të Kosovës është një padrejtësi që ju bëhet të punësuarve që kanë kontribuar në atë kohë të artë për Kosovën dhe jep indikacione të mos njohjes së sistemit të Arsimit të Republikës së Kosovës të kësaj periudhe.
Këto kërkesa të SBASHK-ut, janë në harmoni të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese më nr. SGJ2112/23 të datës 16.01.2023 për Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve si dhe me Konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cila garanton që një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet.