Respekt për angazhimet e tyre nëpër vite e dekada
Prishtinë, 24.11.2023
Për të shprehur respekt meritor për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në themelimin dhe rrugëtimin e sukesshëm të sindikatës sonë, SBASHK po vazhdon me aktivitetin tradicional duke bërë bashkë veteranët nismëtarë, të cilët ndjehen të nderuar që nuk janë harruar dhe po vlerësohet kontributi i tyre i lartë në misionin e shenjtë për arsimin e edukimin e brezave nëpër kohë plot sfida e furtuna duke mbrojtur dijen e dritën kundër errësirës. Ky aktivitet u dha mundësi atyre të takohen e të shpalosin kujtime të shumta për vitet e dekadat e shkuara. Në përmbyllje të këtij aktiviteti është mbajtur një takim rasti, që i ngjante atyre takimeve në vitet e 90-ta.
Veprimtari sindikal Ragip Ballata ka shpalosur kujtime dhe ka prezantuar veprën e tij që ndërlidhej me viktimat civile dhe një ekzemplar ia ka dhuruar kryetarit Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut duke shprehur respektin e lartë për veteranët e sindikatës sonë ka kujtuar momente e angazhime nga vitet duke u ndalur në fillimet e angazhimeve të SBASHK-ut e duke përmendur data e ngjarje e ka ftuar për një fjalë rasti kryetarin e parë prof.dr. Agim Hyseni.
Kryetari i SBASHK -ut ka shpalosur kujtime duke përmenduar momente e ngjarje të përpjekjeve sublime të gjithë anëtarësisë dhe veprimtarëve sindikal që alarmuan botën për përpjekjet e pushtuesit për ta zhdukur arsimin shqip. Punëtorët e arsimit me mbështetjen e madhe të miqve ndërkombëtar vazhduan rrugëtimin dhe dhan kontribut me vlerë për ardhjen e lirisë, të cilën e solli lufta heroike e UÇK-së e mbështur nga shtetet mike të atdheut tonë.
Ky aktivitet është bërë tradicional dhe veteranët e SBASHK-ut do të jenë prapë bashkë për të shpalosur kujtime për ngjarjet e mëdha nëpër vite e dekada e për të lartësuar kujtimin për ata që nuk janë më mes nesh po kanë kaluar në amshim.