Pajtueshmëri për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit
Prishtinë, 10.11.2023Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri e zyrtaren Vlora Rexhepi Berisha janë takuar sot në ambientet e Parlamentit të Kosovës me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim Ardian Gola.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut e kanë njoftuar kryetarin Gola për aktivitetet e organizuara deri tani me Qendrën Amerikane të Solidaritetit dhe për idenë që bashkë me gjithë palët e ndërlidhura me arsimin të fillojnë me aktivitete të përbashkëta që do të shërbejnë në krijimin e një fronti të përbashkët të angazhimeve për një arsim edhe më të mirë e më cilësor në Kosovë. Ata kanë informuar kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, z.Ardian Gola se fillimisht planifikohet një tryezë në muajin dhjetor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MASHTI-it, SBASHK-ut, Qendrës Amerikane të Solidaritetit, Komisionit Parlamentar për Arsim të disa prej Ministrive, të Këshillit të Prindërve, Kolegjiumit të Drejtorëve të Arsimit, Asociacionit të Komunave, medieve dhe Shoqërisë Civile me qëllim të dakordimit për aktivitetet e përbashkëta në vijim.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim Ardian Gola ka përshëndetur këtë ide të SBASHK-ut dhe ka theksuar se është 15 dhjetori data që mund të realizohet tryeza konsultative me të gjitha palët dhe ka shprehur gatishmërinë për të dhënë kontribut në rrjedhën e mbarë të këtij aktiviteti.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë pajtuar me datën e propozuar nga z. Gola për tryezën konsultative dhe do të vazhdojnë takimet me palët e ndërlidhura me sistemin arsimor me qëllim të përfaqësimit të tyre në këto aktivitete.