Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

SBASHK për Strategjinë që zgjedh e jo që shton problemet në arsim

Prishtinë, 24.09.2020

llogo sbËshtë mirë që u riaktualizua çështja e gjendjes së arsimit në Kamenicë. Në vitin 2019 ishte SBASHK-u që alarmojë për situatën e krijuar atje dhe apeloi te deputetët dhe institucionet që të shkojnë në Kamenicë dhe ta thonë prerazi qëndrimin e tyre. Kjo nuk ndodhi sepse ish ministri Bytyqi kishte punë të tjera, ndërsa disa OJQ kritikonin SBASHK-un pse po merr kompetencat e të tjerëve. Duke u gjendur në këtë situatë SBASHK-u arriti marrëveshje të shkruar me kryetarin Kastrati, Marrëveshje kjo që mbron punëtorët e arsimit që të mos hidhen në rrugë pas dekadave të punës në arsim.
Tani arsimi në Kamenicë u kthye në temë dite pas bojkotimit të mësimit nga nxënës dhe prindër të disa lokaliteteve dhe më në fund problemi u debatua edhe në parlament dhe me të u mor edhe Kryeministri Hoti. Për hir të korrektësisë dhe pa i bërë lajka, do theksuar se po të ishte në vitin 2019 Ministër Likaj në MASH kjo çështje atëherë do të debatohej dhe do të kishte angazhime për zgjidhje të drejtë dhe nuk do ta kishim situatën e tanishme e nuk do t'i mbetej kjo punë e ndjeshme drejtorit të atëhershëm të Departamentit për Arsimin Parauniversitar Alush Istogu, i cili dorën në zemër u mundua mjaft, por kompetencat për këtë çështje i kishte të kufizuara.
E përgëzojmë Kryeministrin Hoti për angazhimin konkret lidhur me arsimin në Kamenicë, por bazuar në atë që është botuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë lidhur me takimin e tij me kryetarin Kastrati nuk mund të mos hapen disa çështje nga SBASHK.
"Fillimisht, kryeministri Hoti e ka përgëzuar kryetarin Kastrati për nisëm e ndërmarrë, me qëllim të reformimit dhe avancimit të arsimit në këtë komunë, duke theksuar se vendit i nevojitet një strategji nacionale e reformimit të sistemit arsimor parauniversitar", thuhet në lajmin e botuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Për shumë njerëz dhe veçmas për nxënësit dhe prindërit që po kundërshtojnë këtë reformë dhe mbylljen e shkollave të tyre kjo nisma e Kastratit nuk është parë si e mbarë e as e qëlluar dhe ndërlidhja e përgëzimit për të nga Kryeministri dhe theksimi i tij se "vendit i nevojitet një strategji nacionale e reformimit të sistemit arsimor parauniversitar" mund të lexohet gabimisht nga kryetarët tjerë të komunave se Kosovën do ta bëjmë Kamenicë dhe pastaj ky bojkotimi i mësimit do të bartej në tërë vendin tonë.
SBASHK që moti e publikisht ka kërkuar që të krijohet një strategji për arsimin e Kosovës dhe këtë dokument jetik do të duhej ta punonin Akademia e Shkencave, njerëz eminent të arsimit nga të gjitha subjektet politike dhe përfaqësues të SBASHK-ut. Kjo Strategji nuk do ta kishte bazë mbylljen e shkollave, po do ta kthente arsimin në prioritet dhe do ta lironte nga ngulfatja që po i bën politika. Kjo Strategji do t'i obligonte institucionet që të financojnë në arsim dhe shkollat tona nuk do ta kishin më mjet kryesor të punës shkumësin dhe shpuzën. Kjo Strategji duhet të jep përgjigje të saktë çka me nxënësit, çka me mësimdhënësit? Kjo Strategji do ia kthente autonominë shkollës dhe lirinë akademike punëtorëve të arsimit. Kjo Strategji do të rregullonte mirë e drejtë të gjitha çështjet dhe do të ishin obligative për zbatim pavarësisht se cila parti fiton në zgjedhjet lokale a qendrore.
Një strategji që nuk ofron zgjidhje afatgjate për këto dhe shumë çështje tjera do të ishte e pjesshme dhe në vend që ta ndihmojë e avancojë arsimin, do ta pengonte atë.

Butoni posht