Anëtarët e SBASHK-ut respekt të lartë për sindikatën e tyre dhe mikpritjen
Prishtinë, 09.07.2020
Stafi i SBASHK-ut dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal e të Universiteteve kishin bërë shumë angazhime me qëllim që të realizohet edhe në këtë verë tradita e mirë për dërgimin e një numri të konsideruar të kolegëve tanë për pushime meritore në bregdetin shqiptar. Situata e re kërkoi më shumë angazhime e kujdes dhe pas konsultimeve të vazhdueshme me koleget e kolegët tanë që ishin përzgjedhur nga shkollat e njësitë akademike për të shkuar në bregdetin shqiptar, u nis së realizuari ky aktivitet.
Për të qenë organizimi sa më i mirë dhe në koordinim me stafin përgjegjës të Kompleksit Hotelier e Turistik "Bonita" të 400 pushuesit janë ndarë në 2 grupe për të shkuar në bregdetin shqiptar.
Të hënën e 6 korrikut grupi i parë me koleget e kolegët tanë nga Vushtrria, Mitrovica, Leposaviqi, Zveçani, Skenderaj, Prizreni, Kaçaniku, Hani i Elezit, Ferizaj, Shtërpca, Shtime, Suhareka, Klina, Istogu, Peja, Deçani e Juniku kanë arritur në Kompleksin Hotelier e Turistik "Bonia". Përgjegjësit e caktuar nga SBASHK-u ishin të përkushtuar dhe rrugëtimi drejt Durrësit kishte kaluar mirë e në atmosferë të këngës e humorit të lehtë. Stafi në "Bonita" kishte bërë gjithë përgatitjet dhe masat e caktuara të kujdesit në institucionin gjegjës po respektoheshin në përpikëri.
Pushuesit duke shprehur respekt meritor për SBASHK-un dhe mikpritjen e pronarit dhe stafit te "Bonita" janë ndjerë mirë e të relaksuar. Ata janë akomoduar dhe janë drejtuar pastaj drejt detit për të shoqëruar bisedat e këngën e lehtë me melodinë e valëve të detit shqiptar.
-Po ikin shpejt ditët, dëgjohen duke thënë shumë nga pushuesit.
-Po e vazhdojmë pushimin edhe një javë, i drejtohet një anëtar i SBASHK-ut kryetarit Jasharaj dhe shumë të tjerë e duartrokasin këtë ide. Kryetari i SBASHK-ut nuk fsheh gëzimin për këtë atmosferë dhe i përgëzon gjithë anëtarët e SBASHK-ut këtu që me sjellje dinjitoze po përfaqësojnë në mënyrë të denjë figurën e mësuesit nga Kosova.
- E kishim vazhduar edhe një javë more, po të dielën vjen grupi tjetër me 200 e më shumë kolege e kolegë, flet kryetari. Kujdestarët e caktuar nga stafi qendror janë vazhdimisht në lëvizje e në komunikim me pushuesit. Ata kishin uruar që në mbrëmje të kishte atmosferë feste përmes tingujve të valles e këngës shqipe. Stafi përgjegjës i "Bonita" ishte përkujdesur edhe për këtë dhe në çdo mbrëmje, duke respektuar distancën, pushuesit të relaksuar e të kënaqur nga uji i mrekulluar i detit shqiptar, bëheshin bashkë me këngën e bukur shqipe, që shoqërohej shpesh edhe me urimet për ditëlindjen e ndonjë pushuesi, i cili nuk fshihte gëzimin e krenarinë dhe ngrihej në këmbë duke përshëndetur nga larg pushuesit dhe këngëtarin dhe mjeshtrin e instrumenteve muzikore.
Pushuesit flasin me krenari për përkushtimin dhe arritjet e shumta të sindikatës së tyre, pra të SBASHK-ut dhe shpesh bëjnë foto me kryetarin e stafin e po ashtu edhe bashkëbisedojnë për çështje arsimore e sindikale. Ata tregojnë se janë shumë të kënaqur me kushtet në këtë Kompleks Hotelier e Turistik dhe mendimet e tyre do t'i shpalosin shumë nga ta edhe në fletoret e përshtypjeve dhe shumë nga to edhe do të publikohen në ueb faqen dhe në gazetën e SBASHK-ut "Arsimimi sot".
Në këtë shkrim ne po përcjellim të lexuesit e nderuar vetëm disa nga to.
"Është një aktivitet shumë i qëlluar i SBASHK-ut. Përgëzoj stafin qendror për gjithë angazhimet. Kemi qenë vazhdimisht në komunikim me ta gjithë ne pushuesit dhe çdo gjë kishte dhe ka rrjedhë të mbarë. Ne mësimdhënësit e Kosovës ishim të përkushtuar në mësimin nga largësia dhe ky pushim është dhuratë meritore dhe na mundëson që të relaksohemi. Stafi i Hotelit është në nivel të detyrës dhe të bën të ndjehesh mirë nga mikpritja dhe respekti. Faleminderit SBASHK", ka shkruar mësimdhënësja Sadete Spanca, që është njëra pushueset e përzgjedhura dhe vjen nga komuna e Vushtrrisë.
" E vlerësoj shumë lart këtë aktivitet të SBASHK-ut , që mundësoi organizimin kaq të mirë të pushimit meritor për një numër të konsideruar të anëtarësisë. Kemi kaluar edhe gjatë këtij viti nëpër shumë sfida. Ne po respektojmë këshillat e institucioneve gjegjëse dhe jemi të kujdesshëm. Kjo është lehtë të bëhet në këto ambiente dhe përkushtimit të kujdestares dhe të gjithë stafit te "Bonita". Falënderoj SBASHK-un për përkushtimin në shërbim të anëtarësisë", shprehet mësimdhënësja Adelina Gjinovci nga komuna e Skenderajt.
"Atmosferë e mirë kjo. Këtë kënaqësi e atmosferë të mrekullueshme për punëtorët e arsimit e bën vetëm SBASHK-u", shprehet i gëzuar e me emocione", kolegu ynë Mustafë Kajtazi, i cili edhe ka gjiruar momente të vallëzimit në plazh.
Njëri nga 200 pushuesit e grupit të parë është edhe mësimdhënësi e poeti nga Peja, Agim Desku.
"SBASHK-un e fisnikëron përkushtimi dhe arritjet e shumta në shërbim të anëtarësisë. Ky është njëri nga aktivitet e shumta dhe është shumë i qëlluar. Kujdesi e mikpritja këtu janë shembullore. Valët e detit shqiptar dhe atmosfera festive të bëjnë të ndjehesh mirë e i relaksuar", thotë Desku dhe me siguri ai do të shpreh në vargje përshtypjet e tij për t'i botuar në njërën prej veprave letrare të radhës.
Ditët po ikin. Kujtimet do të mbesin. Stafi i SBASHK-ut ndjehet krenar pse është vazhdimisht në shërbim të anëtarësisë, e cila di të vlerësojë e çmos përkushtimin dhe arritjet e sindikatës së tyre.
SBASHK-u dhe pronarët e stafi i "Bonita" për të krijuar atmosferë të bukur kanë përgatitur edhe një befasi për pushuesit. Pritet që atmosferës festive t'i shtohen një numër i anëtarëve të Ansamblit Autokton "Rugova", Ata në shenjë respekti për punëtorët e arsimit dhe përkushtimin e vazhdueshëm vullnetarisht do të sjellin para pushuesve veshjet kombëtare fragmente të valles së bjeshkëve të Kelmendit.