Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Inspektorët e punës nuk po kryejnë obligimet e veta se janë të zënë me sindikatat

Prishtinë, 11.01.2022

logoPër të mos u shuar dëshira dhe tendenca e Kryeministrit Kurti për t'u përzier në çështje organizative të sindikatave dhe madje edhe tendenca për të ndikuar te anëtarësia se kush nuk duhet t'i udhëheq sindikatat, tani më po kujdesën inspektorët e punës. Ata në vend që të jenë kujdestar dhe të mos lejojnë shkeljet e vazhdueshme që u bëhen njerëzve, qoftë në të drejtat e punës, qoftë në konkurse, fillimisht vizituan zyrat qendrore të Federatave sindikale duke u kërkuar vendimin e regjistrimit dhe raportin e auditorit të jashtëm, dokumente këto që mund të gjenden te Ministria gjegjëse.
Këta inspektorë duke parë se nuk mund të gjejnë as edhe një lëshim në nivelin qendror të SBASHK-ut vazhdojnë me angazhimet duke u përzier edhe më shumë në punët që nuk u takojnë. Ata tani po kërkojnë nga kryetarët e nivelit komunal sindikal edhe procesverbalin nga takimet zgjedhore, në të cilat janë emrat e të zgjedhurve në nivel komunal e madje edhe emrat e delegatëve të Kongresit nga ajo komunë. Në cilin ligj shkruan se inspektorët e punës kanë të drejtë të dinë e t'i kenë emrat e të zgjedhurve dhe të delegatëve të një sindikate? Apo ndoshta këta inspektorë kanë marrë urdhër nga të mëdhenjtë që t'i mbledhin këto procesverbale dhe t'i kenë shënimet dhe numrat e telefonave e të zgjedhurve në këto Kuvende dhe mbase mos po munden pastaj duke i thirr të ndikojnë në ta që të zë vend vullneti e tendenca që në krye të sindikatës të vij dikush tjetër, që do të jetë i dëgjueshëm e që në vend të zërit të anëtarësisë do të dëgjoj zërin e Qeverisë. Ky është angazhim i kotë sepse të tillë në tërë anëtarësinë e SBASHK-ut nuk ka dhe është anëtarësia, që e përfaqësuar përmes delegatëve të zgjedhur, do të vendos përmes votës së lirë se kush do ta udhëheq SBASHK-un në mandatin e radhës. Madje këta inspektorë kanë shkuar edhe më larg duke kërkuar nga kryetari i nivelit komunal edhe emrat e anëtarëve të Këshillit grevist dhe vendimin për grevën e cila ka ndodhur hiç me pak se para 3 vitesh në tërë sistemin arsimor. Po kjo çka po u duhet tani këtyre inspektorëve? Ndoshta mendojnë t'i thirrin edhe këta në telefon a në biseda që të mundohen t'i frikësojnë në mënyrë që ata mos të pranojnë kurrë më të jenë anëtarë të këtyre Këshillave. Edhe kjo përpjekje do të jetë e kotë.
Me këtë reagim publik Ju drejtohemi inspektorëve të punës që të merren me punët e tyre e jo me punët e huaja. Të shikojnë se sa shkeljet e të drejtave të punës bëhen në sektorin publik e atë privat. Të reagojnë ngase ka raste kur punëtores në pushim të lehonisë i shpallet vendi i punës. Të shikojnë dhe të ndalojnë edhe shkeljet tjera se këto dokumentet që po i kërkojnë për zgjedhjet në sindikatë nuk janë punë e tyre.
Ne që sot do të komunikojmë me kryetarët tanë të nivelit komunal e të Universiteteve dhe do t'i këshillojmë që në takimet me inspektorët e punës t'ua dëshmojnë se i kanë kopjet e të tetë formularëve të zgjedhjeve, por që as edhe njërin nga to mos t'ua japin këtyre inspektorëve që po merren me punët që nuk u takojnë. Këta inspektorë për gjithë çështjet që lidhen me zgjedhjet e të gjitha niveleve në SBASHK le të vijnë te ne në qendër dhe do të marrin përgjigje meritore.

Butoni posht

Marrëveshjet

Formulari për kartela sindikale

Gazeta Vjetore 2023

sbashk2023

 

 

 

Facebook

Na ndiqni nëfacebook apo në grupfacebook