Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Mobilizim i plotë i SBASHK-ut për mësimin nga largësia

Prishtinë, 23.03.2020

e mesimi 300x196Stafi qendror i SBASHK-ut, Kryesia bashkë me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve çdo ditë mbajnë takime pune nga larg duke përcjellë situatën aktuale në këtë kohë plot sfida e duke dhënë ide e duke marrë detyra konkrete në shërbim të arsimit dhe dijes. Në takimin e sotëm kryetari i SBASHK-ut ka informuar stafin, kryesinë dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve se ka komunikuar me Ministren Hykmete Bajrami për ta përgëzuar e uruar me rastin e nisjes së mësimit nga larg duke i shprehur mbështetjen e plotë të SBASHK-ut në përpjekjen e përbashkët që dija dhe arsimi të vazhdojnë rrugëtimin drejt diturive të reja e me lutjen e përbashkët për fitore ndaj armikut tinëzar dhe kthim sa më të shpejt në institucionet arsimore.
SBASHK në takimin e sotëm ka marrë informacione nga kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve se shumë nga kolegët tanë ka kohë që kanë nisur komunikimin nga larg me prindër e nxënës dhe duke zhvilluar kështu brenda mundësive njësi mësimore e duke testuar njohuri përmes detyrave.
SBASHK-u përgëzon kolegët tanë për këtë angazhim.
Punëtorët e arsimit janë dëshmuar edhe në kohë të tjera të liga duke e mbajtur gjallë dritën kundër errësirës. Ata edhe në këto kohë të vështira për Kosovën dhe tërë botën janë të mobilizuar dhe do të jenë, edhe pse nga larg, me nxënësit e prindërit në rrugëtimin drejt dijeve të reja.
Stafi i SBASHK-ut, kryesia dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve çdo ditë do të vazhdojnë me komunikimin dhe takimet nga larg duke analizuar situatën e duke qenë në gatishmëri për punë e përkushtim sipas kërkesave të kohës.
Në gjithë vitet e okupimit qëndruam fuqishëm në shërbim të dijes e dritës kundër errësirës. Të mobilizuar e të gatshëm jemi edhe sot.
Edhe nga këto takime prej së largu stafi dhe gjithë anëtarët e SBASHK-ut edhe një herë shprehin mbështetjen dhe respektin për Sindikatën e Shëndetësisë, pra ndaj mantelbardhëve duke i përgëzuar për angazhimin dhe përkushtimin në luftë për jetën kundër vdekjes.

Butoni posht

Marrëveshjet

Formulari për kartela sindikale

Gazeta Vjetore 2023

sbashk2023

 

 

 

Facebook

Na ndiqni nëfacebook apo në grupfacebook