Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Apel publik i SBASHK-ut drejtuar liderëve dhe kandidatëve për deputetë

aaaaasbashk Apel publik i SBASHK-ut drejtuar liderëve dhe kandidatëve për deputetë
SBASHK: Liderë ju lusim shkoni në Kamenicë dhe binduni vetë me realitetin atje
Prishtinë, 18 shtator 2019,
SBASHK-u po pret nga Ju dhe nga MASHT të ndërmjetësojë dhe të ofrojë zgjidhje të pranuar. Nëse kjo mungon atëherë ne do të vazhdojmë me reagimet e veprimet tona sepse nuk mund të heshtim karshi një situate të tillë, që vërtetë është alarmante dhe mund të keqësohet e elektrizohet edhe më shumë.
Liderë të nderuar Ju që keni marrë besimin e subjekteve politike a koalicioneve që të garoni për kryeministër edhe ju të nderuar që po garoni për të marrë besimin e popullit e për ta përfaqësuar zërin e tij në Parlament e dimë që jeni të angazhuar shumë tani në takime e debate, por Ju lusim shumë shkoni në Kamenicë se nuk mund të jenë dy të vërteta për gjendjen e arsimit atje. Shkoni dhe binduni vetë me realitetin.
Liderë të nderuar, SBASHK-u nuk është hera e parë që ngrit zërin dhe nuk është as hera e parë që kritikohemi e etiketohemi pa argumente e pa të drejtë. Ne nuk pretendojmë të marrim mandatin e dikujt tjetër, por kemi kryer e do të kryejmë misionin tonë sindikal që të angazhohemi e të reagojmë duke përcjellë në opinion dhe në takime zërin e punëtorëve të arsimit.
Ne reaguam me javë të tëra në takime dhe bashkëbiseda me Kastratin dhe të tjerët dhe jemi shprehur kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë. Kundër mbylljes janë shprehur edhe prindërit atje, por Kastrati nuk dëgjoi lutjen tonë që së paku këtë vit ta tërheq vendimin e tij dhe të pres formimin e institucioneve të Kosovës nga vota e lirë e 6 tetorit dhe pastaj çështja të ngrihet në nivel vendi dhe të krijohet një strategji e përbashkët. Ne kundërshtimin tonë të bazuar e shprehem edhe me protestë para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Kamenicë, por Kastrati, i trimëruar nga ish Ministri Bytyqi, nga Bexhet Shala i KMDLNJ-së e ndonjë individë tjetër vazhdon me presione e me lista sipas simpative e tekave për teprica teknologjike, që në të vërtetë janë lista të pushimeve nga puna, vazhdon me presione ndaj drejtorëve. Vazhdon me idenë që shkollat në fshatra të mbyllën e fëmijët nga atje të bëjnë çdo ditë dhjetëra e dhjetëra kilometra për të shkuar nga fshatrat e tyre malore në Kamenicë. Nëse realizohet kjo ide e pamatur atëherë këta fëmijë të gjorë , që janë nga klasa e parë e tutje të lodhur nga udhëtimi i gjatë e nëpër rrugët plot kthesa do të shkojnë të molisur në shkollë dhe do të kthehen të stërlodhur në shtëpi në mos i zëntë gjumi në autobus. Ju kujtoj se Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti kanë aprovuar buxhetin e këtij viti dhe janë paraparë mjete të mjaftueshme pagash për numrin aktual të mësimdhënësve.
Liderë të nderuar Ju që keni marrë besimin e subjekteve politike a koalicioneve që të garoni për kryeministër edhe ju të nderuar që po garoni për të marrë besimin e popullit e për ta përfaqësuar zërin e tij në Parlament SBASHK-u është mësuar me sulmet e etiketimet pa as edhe një argument të disa individëve, që gënjejnë kur vajtojnë për fatin e arsimit në Kosovë. Juve po ju lusim shumë gjeni kohë që tani dhe shkoni në Kamenicë. Takohuni ju lutem me popullin, me nxënësit shqiptarë dhe me ata të komunitetit rom. Takohuni me mësimdhënësit dhe do të dëgjoni nga dora e parë për situatën në Kamenicë. Mësojeni vetë të vërtetën e pastër se dy të vërteta nuk janë.
SBASHK-u po pret nga Ju dhe nga MASHT të ndërmjetësojë dhe të ofrojë zgjidhje të pranuar. Nëse kjo mungon atëherë ne do të vazhdojmë me reagimet e veprimet tona sepse nuk mund të heshtim karshi një situate të tillë, që vërtetë është alarmante dhe mund të keqësohet e elektrizohet edhe më shumë .

Butoni posht