SBASHK-u vizitoi Departamentin e Pensioneve të Kosovës
Bashkëbisedë për rrjedhën e aplikimit për Ligjin e viteve të 90-ta
Prishtinë 26.08.2019
Pasi ishin përcjellë në SBASHK disa nga shqetësimet dhe ishin ngritur pyetje konkrete lidhur me aplikimin për të gëzuar të drejtën e shtesës në pension në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga menaxheri për financa e administratë dhe koordinator për organizimin e brendshëm, Ymer Ymeri dhe asistentja në SBASHK, Vlora Berisha kanë vizituar Departamentin e Pensioneve të Kosovës . Aty janë pritur nga drejtori i këtij Departamenti ,z. Bahri Xhaferi dhe zyrtarë të tjerë.
Delegacioni i SBASHK-ut në këtë takim ka përsëritur shqetësimin pse është kërkuar fatura për tatimin në pronë, e cila si kujtuan ata, nuk është përmendur në Udhëzimin Administrativ të MASHT. Drejtori Xhaferi tregoi se kjo është bërë me qëllim që të përcaktohet saktë adresa e banimit të përfituesit të shtesës dhe se ky Departament nuk shikon sa ka paguar aplikuesi e sa i ka mbetur borxh nga obligimi tatimor, por se shikohet adresa e saktë e tij.
Drejtori Xhaferti ka dhënë edhe sqarimin në pyetjen e SBASHK-ut se bashkëshorti e bashkëshortja që ende nuk kanë moshën e pensionimit a mund ta gëzojnë që tani shtesën për bashkëshortin a bashkëshorten në emër të punës në vitet e 90-ta. Drejtori Xhaferi ka shpjeguar se me ligj është e përcaktuar se individi pensionin, por edhe cilën do shtesë që ka të bej me skemat pensionale e gëzon vetëm kur pensionohet, e jo para kësaj moshe dhe kur është duke punuar.
Drejtori i këtij Departamenti ka njoftuar se aplikimi ka nisur nëpër komuna dhe se është duke ecur me ritëm normal. Ai ka rikujtuar se me të filluar implementimi i Ligjit, pensionistët e arsimit, që kanë punuar në vitet e 90-ta, shtesën në emër e në respekt të punës në ato vite do ta marrin në mënyrë retroaktive nga muaji kur ligji është botuar në gazetën zyrtare.
Të dy palët janë shprehur të gatshëm që të vazhdojnë me takimet dhe bashkëpunimin në shërbim të pensionistëve të arsimit.