Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Përfaqësuesit e SBASHK-ut u takuan me Kryeministrin Haradinaj

Takim me Haradinaj 08.01.2019 foto 2Përfaqësuesit e SBASHK-ut u takuan me Kryeministrin Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga Ministri në MASHT, Shyqiri Bytyqi, Koordinatori Nacional për Qeverisje, Besnik Tahiri, zv/ministri i Ministrisë së Punës dhe mirëqenies sociale, Lulëzim Leci dhe anëtarë të tjerë të Kabinetit , priti sot në një takim kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, që shoqërohej nga menaxheri për financa e administratë, Ymer Ymeri.
Kryetari i SBASHK-ut falënderoj Kryeministrin për takimin dhe paraqiti kërkesën e gjithë punëtorëve të arsimit për ngritjen e koeficienteve për së paku 30 % në Ligjin e pagave për tërë sektorin e arsimit, duke e cilësuar këtë si kërkesë minimale, krahasuar me ngritjet që Ligji i pagave siguron për sektorë të tjerë. Kryetari Jasharaj ka kujtuar se nëse nuk ndodh kështu dhe shkohet në grevë të përgjithshme, atëherë do të veprohet sipas kërkesës së anëtarësisë për nivelizim të koeficienteve nëpër sektorë duke u bazuar në kualifikimin e njëjtë dhe punën e detyrat e njëjta.
Po ashtu Kryeministrit i janë paraqitur shqetësimet pse deri tani nuk është marrë as edhe një hap konkret për përmirësimin e koeficienteve për sektorin e arsimit dhe se nëse kjo nuk ndodh se shpejti atëherë në tërë sistemin arsimor, nga çerdhet e deri edhe në Universitete do të ketë grevë të përgjithshme e në kohë të pacaktuar.Takim me Haradinaj 08.01.2019 foto 1
Ministri Bytyqi ka përsëritur vlerësimin se janë të ulët koeficientet për arsimin dhe ka kujtuar se është punuar të formohet një komision i përbashkët MASHT, Kryeministri, SBASHK me angazhimin e përbashkët për të bërë përmirësimin e koeficienteve në tërë sektorin e arsimit.
Kryeministri Haradinaj është shprehur se kupton shqetësimin e SBASHK-ut duke theksuar se koeficientet për sektorin e arsimit duhet përmirësuar, duke mos deklaruar për momentin se sa mund të jetë kjo ngritje pa bërë një analizë të mundësive buxhetore. Kryeministri është pajtuar me idenë që komisioni i përbashkët të prezantohet para Komisionit parlamentar për Administratë, Qeverisje Lokale e Medie me propozimin e ngritjes së koeficienteve për sektorin e arsimit brenda mundësive buxhetore.
Përfaqësuesit SBASHK-ut edhe një herë kanë përsëritur qëndrimin e anëtarësisë s ky Ligj i pagave në versionin aktual ka krijuar diferenca të mëdha mes pagave të të punësuarve në sektorë të ndryshëm dhe hapi më i mirë do të ishte nëse ky ligj tërhiqet dhe të punohet ashtu si duhet e që do të mundësonte vërtetë nivelizim pagash e jo si ky tani që ka krijuar diferenca deri në 80% mes të punësuarve në sketorë të ndryshëm, por që kryejnë punë të njëjtë dhe kanë ngritje të njëjtë profesionale.
Delegacioni i SBASHK-ut ka njoftuar pas këtij takimi Ministrin Bytyqi se Këshilli Drejtues, si organi më i lartë i SBASHK mes dy Kongreseve, bashkë me kryetarët e niveleve komunale dhe të Universiteteve do të mbajnë takim të jashtëzakonshëm të enjten për të debatuar për aktualitetin dhe për çështjet e ngritura dhe për të marrë vendime konkreteve .

Prishtinë, më 8 janar 2019
Zyra për informim e SBASHK-ut

Butoni posht