Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

Lartësim kujtimi për trimat e lirisë dhe për pishtarët e dijes

Manifestimi per pishtaret e dijesShoqata Atdhetare "Dukagjini" e Shkodrës, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe "Martin Dreshaj", Ansambli Autokton "Rugova" dhe Teatri "Aleksandër Moisiu" i Pejës kanë organizuar një veprimtari madhështore kulturore për të lartësuar kujtimin për trimat e lirisë dhe pishtarët e dijes. Mes shumë mësuesve e veprimtarëve në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Prekazi e Skenderaj, i udhëhequr nga Lulëzim Jashari.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës "Martin Dreshaj" , Frahër Rraci ka për një shpalosje të aktiviteteve e angazhimeve atdhetare të njerëzve të pendës e pushkës nëpër vite, dekada e shekuj për të shprehur respektin e lartë për këta bijë e bija të atdheut.
Manifestimi kulturorKryetari i Shoqatës "Dukagjini" nga Shkodra ka përcjellë respektin e kësaj pjese të Shqipërisë për familjen emblemë të Kombit, për komandantin Adem Jashari, për mësuesin Shaban dhe për gjithë njerëzit që në kohë plot furtuna kanë kryer misionin e tyre të shenjtë për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe. Duke lartësuar kujtimin për ta kjo Shoqatë ka dekoruar me titullin "Mehmet Shpendi" mësuesin Shaban Jashari dhe me titullin "Martin Vamaj" Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). "Për punën vetëmohuese në shërbim të mësimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe, të shkrimit dhe leximit të saj dhe edukimin atdhetar në shërbim të kombit shqiptar", ka thënë kryetari Sanaj teksa po dorëzonte mirënjohjen për SBASHK-un me emrin e shkrimtarit, akademikut dhe albanologut të njohur shqiptar.
Me mjaft emocione në këtë veprimtari ka folur edhe kryetari i Ansamblit "Rugova", prof. Vesel Nikçi, i cili ka shpalosur kujtime për arsimin shqip nëpër vite e dekada për të lartësuar kujtimin për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në misionin e shenjtë të mësuesit për arsimim e edukim të brezave.
"Pishtarët e dijes dhe atdhetarët nëpër dekada e shekuj mbrojtën atdheun dhe gjuhën e bukur shqipe. Edhe ne mësimdhënësit e viteve të 90-ta duke ndjekur këta shembuj dhe duke ruajtur në zemër kujtimin për mësuesin Shaban Jashari i përballuam furtunat dhe arritëm të kryejmë misionin tonë të shenjtë . Kujtimi për figurat emblemë të atdhetarëve na bënin të pathyeshëm karshi furtunave të pushtuesit", foli me plot emocione në këtë veprimtari kulturore kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj duke falënderuar organizatorët.

Butoni posht