Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës

SBASHK informoi Ministrin Jagcilar për kundërshtimet lidhur me Ligjin e pagave

SBASHK informoi Ministrin Jagcilar për kundërshtimet lidhur me Ligjin e pagave

foto 3 56.06.18
Delegacioni i SBASHK-ut edhe në takimin me Ministrin Jagcilar ka përsëritur se SBASHK-u do të bëj gjithë angazhimet që me dialog të përmirësohen lëshimet, duke mos përjashtuar as edhe një herë edhe masat dhe veprimet sindikale nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet.

Pasi që janë takuar me Ministrin Bytyqi dhe i kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin lidhur me Projektligjin për pagat dhe radhitjen tepër të ulët në tabelën e e rangimit, delegacioni i SBASHK-ut është takuar në pasditen e së hënës me Ministrin Mahir Jagcilar dhe anëtarët e kabinetit të tij.
Ministri Jagcilar i ka deklaruar delegacionit të SBASHK-ut se jo vetëm Projektligji për pagat, por edhe dy ligje të tjera ende janë në diskutim publik dhe se janë duke u zhvilluar takime e debate me palët e interesuara për të dëgjaur edhe qëndrimet e tyre konkrete.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kujtuar Ministrin Jagcilar se edhe në kohën e Qeverisë Mustafa SBASHK-u ka kundërshtuar Projektligjin për paga duke e parë si nënçmues e degradues për të punësuarit në sektorin e arsimit radhitjen tepër të ulët në tabelën e rangimit të profesioneve në bazë të koeficienteve. Kryetari i SBASHK-ut ka theksuar se pas reagimit të fuqishëm të SBASHK-ut Projektligji nuk ishte dërguar në Parlament dhe se kishte filluar dialogu për ndryshime meritore dhe se SBASHK në bashkëpunim me MASHT kishte dhënë propozim konkret e të bazuar për rangim meritor të punëtorëve të arsimit.
SBASHK-u ka shprehur kundërshtimin dhe reagimin e arsyeshëm në takim me Ministrin Jagcilar sepse edhe në versionin e tanishëm të Projektligjit për paga, i cili vazhdon të jetë në diskutim publik, punëtorët e arsimit të Kosovës prapë janë radhitur në pozitë tepër të ulët, gjegjësisht në pozitë jo meritore. Kryetari i SBASHK-ut Jasharaj bashkë me menaxherin për financa Ymer Ymeri duke përcjellë qëndrimin e punëtorëve të arsimit janë shprehur të bindur se Ministri Jagcilar bashkë me Qeverinë e Kosovës do të marrin parasysh propozimin konkret e të bazuar në argumente të SBASHK-ut lidhur me këtë çështje tepër të ndjeshme dhe në versionin përfundimtar ky sektor i rëndësisë së veçantë do të jetë i ranguar në pozitë meritore. Në të kundërtën ky delegacion edhe në takimin me Ministrin Jagcilar ka përsëritur se SBASHK-u do të bëj gjithë angazhimet që me dialog të përmirësohen lëshimet, duke mos përjashtuar as edhe një herë edhe masat dhe veprimet sindikale nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet.
Prishtinë, 25 qershor 2018
Zyra për informim e SBASHK-ut

Butoni posht

Marrëveshjet

Formulari për kartela sindikale

Gazeta Vjetore 2023

sbashk2023

 

 

 

Facebook

Na ndiqni nëfacebook apo në grupfacebook