Konkluzionet e Konferencës themel i fortë për përmirësimin e gjendjes në arsim
Prishtine,20.10.2017
Përkushtimi i SBASHK-ut në përgatitjen sa më të mirë të Konferencës "Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës " ka dhënë frytë këtë të premte ngase kjo ngjarje ka pasur rrjedhë të mbarë dhe ka shënuar një pjesëmarrje më të madhe të mësimdhënësve e mysafirëve nga ajo që ishte planifikuar nga Këshilli organizativ i SBASHK-ut.
Në hapje të kësaj konference kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj nuk ka fshehur kënaqësinë për një organizim kaq të mirë. "SBASHK-u vazhdimisht ka insistuar në të vërtetën se : Duke pasur parasysh rëndësinë e sistemit arsimor për një shoqëri, e posaçërisht për Kosovën , si shtet i ri e me një numër të madh të të rinjve, secili duhet të kontribuojë dhe të bashkëpunojë për të arritur cakun e dëshiruar. Prandaj, po e them edhe këtu e në emër të gjithë anëtarësisë së SBASHK-ut se në këtë përpjekje madhore duhet të përfshihen sinqerisht, krahas punëtorëve të arsimit, edhe nxënësit, prindërit, institucionet lokale e qendrore të shtetit dhe palët tjera, jo duke kritikuar pa as edhe një argument, por duke u angazhuar konkretisht në këtë mision të shenjtë", është shprehur Jasharaj, i cili pastaj ka falënderuar z. Boris Sharlovski dhe stafin e GIZ për mbështetjen në organizimin e kësaj ngjarje dhe për angazhimin e sinqertë në ngritjen e cilësinë në arsimin e Kosovës.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit dhe SBASHK-un për organizimin e këtij aktiviteti shumë të qëlluar, Ministri i MASHT, z. Shyqiri Bytyqi ka vlerësuar lartë rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve të vendit tonë në të kaluarën e vështirë, por edhe tani e gjithmonë.
"Mësimdhënësit janë baza e arsimit. Sa më e fortë dhe e qëndrueshme të jetë kjo bazë, aq më i fuqishëm do të jetë sistemi i arsimit dhe si rezultat e ardhmja jonë do të jetë e sigurt",është shprehur Ministri Bytyqi.
Udhëheqësi i Projektit, Boris Sharlovski nga GIZ, ka lavdëruar angazhimin e SBASHK-ut, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën, që përveç mbrojtjes me sukses të të drejtave të mësimdhënësve dhe realizimit të kërkesave të tyre po angazhohet vazhdimisht edhe në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim.
"Ne të gjithë i dimë rezultatet të PISA-s të cilat janë publikuar pothuajse para një viti, mirëpo ne jemi të informuar edhe me sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë. Siç ne të gjithë e dimë, arsimi është një e drejtë, mirëpo gjithashtu nevojitet një zotim nga e tërë shoqëria për të zhvilluar atë", është shprehur përfaqësuesi i GIZ-it në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar pjesëmarërsve të Konferencës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Ismajl Kurteshi ka përgëzuar SBASHK-un për gjithë arritjet dhe për organizimin kaq në nivel të kësaj Konference. Ai ka kujtuar se kanë kaluar 10 muaj që kur është provuar rezoluta që arsimin e vë si prioritet, por nuk është bërë që në këtë drejtim. "Deri më tani nuk kemi parë asnjë lëvizje në këtë drejtim, por jam i sigurt se me angazhimin e mësimdhënësve, të SBASHK-ut dhe të organizatave tjera, MASHT do të fillojë ta vë në jetë rezolutën e cila sipas mendimit tim është rezoluta më e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ka aprovuar", ka cekur Kurteshi .
Ishte pjesëmarrëse në këtë Konferencë edhe prorektorja e UP-së, Myrvete Badivuku. Ajo në fjalën përshëndetëse ka përgëzuar SBASHK-un për organizimin kaq të mirë të këtij aktiviteti ." Vërtetë janë mësimdhënësit ata që formojnë të ardhmen e vendit dhe prandaj që arsimi meriton të bëhet prioritet i vendit",është shprehur prorektorja Badivuku. Pjesëmarrësit e Konferencës i kanë përshëndetur dhe kanë përgëzuar SBASHK-un për përkushtimin dhe arritjet e shumta edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini , drejtori i DKA-së në Viti, z. Qahil Sinani dhe kryetari i Këshillit të Prindërve , z. Bajram Beqiri. Ata kanë lartësuar punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve të Kosovës nëpër vite e dekada duke kërkuar që vërtetë arsimit të jetë prioritet për institucionet e Kosovës dhe të ndihmohen mësimdhënësit që të formojnë të ardhmen e Kosovës.
Në pjesën e dytë të Konferencës para pjesëmarrësve në temën " "Pasqyra e përgjithshme e vizionit të arsimit për të ardhmen" ka ligjëruar , udhëheqësja e Sektorit të Trajnimeve në MASHT,znj. Igballe Cakaj, kurse në temën " Filozofia e PISA, implikimet në sistemin e arsimit dhe në shkollë", ka ligjëruar profesori në fakultetin Edukimit , z Atdhe Hykolli. Temë që ka zgjuar shumë interesimin e pjesëmarrësve ishte edhe " "Kontributi, roli dhe përgjegjësitë e mësimdhënësve" e ligjëruar nga asistenti në Fakultetin e Gazetarisë, z. Alban Zeneli.
Në pjesën e tretë të Konferencës është punuar në tri grupe sipas tri temave të të Konferencës dhe përmes një bashkëbisede shumë aktive janë nxjerrë edhe konkluzione të shumta, që janë bazë e prezantimit të SBASHK-ut në Konferencën ndërkombëtare në nëntorin e këtij viti në përpjekjet për një arsim edhe më të mirë në Kosovë. Këto Konkluzione do t'i dërgohen edhe GIZ-it , MASHT-it dhe institucioneve tjera të Kosovës.
SBASHK-u në ueb faqen e vetë në ditët në vijim do të botojë konkluzionet nga kjo Konferencë dhe temat që janë prezantuara në këtë Konferencë.